Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji ka uruar në vegjilje të Krishtlindjes, duke bërë thirrje që të bëhen lutje për paqë, gëzim e forcë.
Ai gjithashtu u shpreh se janë Kërshëndellat e 25-ta që po i festojmë në liri dhe tha se sivjet, sikur asnjëherë tjetër, nëpër gjitha sheshet e qyteteve dhe oborret e famullive, besimtarët dhe bashkëqytetarët tanë janë duke festuar, “po gëzojnë e po kënaqën me njëritjetrin”.
“Por, nuk duhet harruar që ne të pagëzuarit, kremtojmë Mishërimin e Fjalës, ardhjen e Zotit në historinë e botës dhe në jetën e njerëzve, sikurse e dëshmon Shën Gjoni në ungjillin e tij: “Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Ne e pamë lavdinë e tij, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm plot hir e të vërtetë.” (Gjn 1, 14). Në të kaluarën kemi përjetuar lloj-lloj vuajtjesh, padrejtësish e mohimesh, si nga të huajit ashtu edhe nga tanët. Megjithatë, ne qëndruam të fortë e të pathyeshëm duke kënduar: “Lavdi Zotit në më të lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve që i ka për zemër!” (Lk 2, 14). Me shpirtin e kësaj kënge të mbushur me gëzim, kemi shprehur besimin tonë në Zotin dhe kemi përjetuar shfaqjen e dashurisë së Hyjit në ne”.
“Vëllezër dhe motra, si gjithmonë, as në këto Krishtlindje, nuk do të mungojnë lutjet e mija për ju. Njëkohësisht ftoj që gjithë së bashku t’i lutemi Zotit të na mbush me paqe, gëzim dhe forcë, që si pasues të Krishtit, ta mbushim misionin tonë dhe të shpallim dashurinë e Tij në çdo kohë e në çdo vend. Qofshin të gjitha lutjet dhe veprat tona të mbushura me hirin e Hyjit dhe udhëzimin e Shpirtit Shenjt. Gëzuar Krishtlindjet. Zoti ju bekoftë të gjithëve”, thuhet tutje në mesazhin e Ipeshkvit Dodë Gjergji.