Një degë e rëndësishme e partisë Guxo është shuar të hënën.
Dega në Ferizaj e partisë së udhëhequr nga dyshja ministrore Donika Gërvalla dhe Faton Peci, tha të hënën se do të tërhiqet plotësisht nga aktiviteti i saj politik në zgjedhjet nacionale të vitit të ardhshëm.
Vendimi është marrë nga Kryesia e Degës së Guxo-s të hënën, tha dega në një njoftim për media.
“Pas diskutimeve të shumta në frymën e demokracisë së mirëfilltë dhe respektimit të mendimeve të ndryshme, me shumicë votash në kryesi, u mor vendim që Dega e Partisë GUXO – Ferizaj, të tërhiqet plotësisht dhe të pushojë aktivitetin e saj politik me të gjitha strukturat e saja në zgjedhjet nacionale të vitit 2025, duke qenë të vendosur që të qëndrojmë brenda kauzës së saj politike dhe identitetit politik”, thuhet në njoftim.
Dega, e cila udhëhiqet nga deputeti Burim Karameta, i afërt me presidenten Vjosa Osmani, i ka goditur dy kryetarët aktualë të partisë.
Sipas njoftimit të degës, pesë janë shkaqet e tërheqjes së saj nga aktivitetet zgjedhore.
Shkaku, i renditur i pari, është përshkruar të jetë “ndjekja e interesave puro personale të dy Bashkëkryetarëve, znj. Donika Gërvalla dhe z. Faton Peci dhe anashkalimi i interesave të partisë”.
Shkaku i dytë është “mosrespektimi i propozimit të Këshillit të Përgjithshëm që të mbajmë e të ruajmë identitetin tonë politikë në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit 2025”.
E treta arsye është “shkelja dhe përbaltosja e maksimës dhe motos tonë që: ‘E Ardhmja u Takon Atyre që Guxojnë’.
Arsye të tjera janë renditur “shkeljet hierarkike partiake” dhe “mbyllja totale dhe mungesa e komunikimit me strukturat partiake”.