Policia e Kosovës ka thënë se ka shënuar rënie numri i veprave penale që janë kryer nga janari në shtator të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rritje të rasteve ka vetëm për dhunë në familje, krahasuar me vjet, numri i këtyre rasteve ka shënuar rritje për 4.4 përqind.
“Dhuna në familje, nga 1897, në 1981, rritje për 4.4%”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Tek veprat tjera, ka rënie të rasteve. Vrasje vjet në këtë periudhë kanë qenë 25, e sivjet 14.
Në komunikatë thuhet se ka rënë edhe numri i rasteve të grabitjeve, vjedhjeve, lëndimeve trupore, derisa rastet e dhunës në familje kanë shënuar rritje për 4.4 përqind.
“Është shënuar ngritje në shkallën e zbulimit të përgjithshme të rasteve për 1.18 %. Gjatë kësaj periudhe kohore, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri I urdhëresave të gjykatave të realizuar është rritur për 14.8%, ose nga 14170, në 16263”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Policia ka ofruar të dhëna edhe për trafikun rrugor, ku thotë se numri i aksidenteve në përgjithësi ka rënë për 2.4 përqind. Rritje ka të gjobave në trafik, për gati 100 mijë.
“Numri i aksidenteve me fatalitet, ka shënuar rënie nga 76, në 65, rënie për -14.5%”, thuhet në komunikatë.