Prindërit e Shkollës “Faik Konica” kërkojnë zgjidhje për orarin e mësimit tërëditor: kujdesi deri pas orës 14:30 është domosdoshmëri.
Në një letër publike drejtuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, prindërit e nxënësve të shkollës “Faik Konica” kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me programin e mësimit tërëditor. Prindërit theksojnë se nxënësit e klasës së parë dhe të dytë qëndrojnë vetëm 6 orë e 30 minuta në shkollë duke kërkuar mundësi për qëndrim shtesë deri në përfundimin e orarit të punës së prindërve. Sipas tyre, përkushtimi për një orar të plotë është i nevojshëm për të përmbushur nevojat e prindërve dhe për të siguruar mirëqenien e fëmijëve.
Letra e plot:
I nderuar z.Abdixhku, kryetar i LDK-së,
Po ju drejtohemi si qytetarë dhe si prindër i nxënësit të shkollës Faik Konica, ku dhe ka filluar mësimin tërëditor. Bazuar në postimin tuaj të datës 03.10.2024, ku keni cekur se fëmijët qëndrojnë 8 orë në shkollë, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë se kjo nuk është e vërtetë ose ndoshta nuk keni informacionin e saktë.
Drejtoresha e arsimit, znj.Lushtaku, është e njoftuar me këtë shqetësim të prindërve, dhe na bën përshtypje si ju lejohet të thoni se fëmijët qëndrojnë 8 orë në shkollë, kur nxënësit e klasës së parë dhe të dytë qëndrojnë vetëm 6 orë e 30 minuta, duke filluar nga ora 08:00 deri në ora 14:30.
Andaj, është e rëndësishme të promovoni diçka të mirë, por në të njëjtën kohë të mos harrohet se fëmijët e klasës së parë dhe të dytë po maltretohen për një orë e gjysmë ose dy orë nëpër kopshte ditore, ndërsa prindërit sfidohen duke paguar kopshte private me kosto prej 100 eurosh.
Mendoj se është e nevojshme të shqyrtohet me kujdes se mësimi tërditor mund të ndihmojë prindërit, por gjithashtu të merret parasysh se si këto vendime ndikojnë në mirëqenien e fëmijëve.
Po ashtu me duhet ta ceki, ne si prindër kemi pasur takim me znj.Jehona Lushtaku drejtoreshën e Arsimit në komunën e Prishtinës, ku u kërkua që të na bëj zgjidhje që fëmijët pas orës 14:30 të qëndrojnë në objektet e shkollës, pasi që ka hapësirë të mjaftueshme në shkolla dhe të caktojë kujdestari që deri në kohën kur të përfundojmë orarin e punës fëmijët të qëndrojnë në objekte shkollore, duke i propozuar si alternativë që edhe ne si prindër të participojmë me një shumë solide për pagesën e atyre kujdestarëve për kujdesin e fëmijëve.
Por znj.Lushtaku nuk na premtoj që do të bëjë zgjidhje, por tha se do ta shikojë mundësinë në takimin me drejtorët e shkollave që kanë startuar me mësim tërëditor, por deri më tani nuk kemi asnjë informacion se a është punuar diçka në këtë drejtim.
Pikërisht kjo reformë e gjysmake do humb besimin e të gjitha ketyre prindërve dhe qytetarëve në premtimin e rritjes së pagave dhe premtimeve tjera që i premtoni gjatë fushates zgjedhor..!
Shtrohet pyetja, Interesi i kujt ishte që orari mësimit tërëditor të jetë deri në 14:30?
A nuk është maltertim që fëmijët e klasës së parë dhe të dytë për një orë e gjysmë të sillen nëpër kopshte private?
A është menduar mësimi tërditor për të na lehtësuar prindërve apo për të na dëmtuar dhe vështirësuar punën?
Andaj kërkesa e prindërve që fëmijët të qëndrojnë në shkollë pas orës 14:30 me kujdestar deri sa të përfundojë orari i punes është një hap i arsyeshëm dhe mund të ofrojë zgjidhje për shumë prindër.
Shktuar nga Naza Krasniqi