Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike të Kosovës konsiderojnë se partia në pushtet ka përshpejtuar votimin e Projektligjit për Sigurime Shëndetësore me qëllime të fushate elektorale dhe si justifikim për dështimet katër viteve të kaluara.
PDK e LDK thonë për “Albania News Network” se kalimi i këtyre projektligjeve përbëjnë shkelje procedurale dhe shkelje të rregullores së Kuvendit.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë për “Albania News Network” se partia në pushtet qëllimshëm ka përshpejtuar kalimin e projektligjeve nëpër komisione.
Ai ka përmendur edhe ftesat kur u janë dërguar deputetëve për t’i trajtuar nëpër komisione parlamentare.
“Këto janë shkelje procedurale por edhe shkelje të rregullores. Për të gjitha këto ligje kanë kaluar të enjten, nuk iu është dhënë mundësia as deputetëve që të bëjnë amendamente por gjithashtu është shmangur edhe dëgjimi publik me palët e interesit, me qytetarët edhe sindikatat dhe organizatat tjera të shoqërisë civile, që të kemi ligje më të mira. Gjithashtu, këto ligje kishin shumë gabime edhe paqartësi. Ishin ligje të dobëta, ku vetë Qeveria ka bërë amendamente në projektligje të cilat i ka dorëzuar në Kuvend sepse edhe ata e dinë që kanë qenë gabimisht të formuluara. Për projektligjin për sigurime shëndetësore edhe për projektligjet tjera të cilat kanë kaluar me këtë formën e përshpejtuar, konsideroj që presidentja duhet t’i rikthejë”, ka thënë Haxhiu, teksa përmend edhe gabimet që janë bërë në Projektligjin për krijimin e Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme. Ka thënë se nuk është specifikuar se nga do të rrjedh buxheti i tyre.
“Ky projektligj thotë se shteti paguan kontributet por në përkufizime nuk e përcaktojnë se a paguhet nga buxheti i Kosovës apo i paguan komunat për raste të caktuara, ose paguhen nga Qeveria, e kështu më radhë. Krijimi i Fondit i ri për Sigurimet e Detyrueshëm është i paqartë dhe në njërin nen të ligjit saktësohet që detyra e Fondit është kontraktimi i shërbimeve, pastaj në nenin tjetër, Fondit i jepet mundësia që të blejë barna edhe pajisje mjekësore, drejtpërdrejt prej prodhuesit ose në format tjera përmes personave të autorizuar dhe këtë e shndërrojnë Fondin e Sigurimeve Shëndetësore në tregtar të barnave që nuk është detyrë e tyre Fondi duhet të kontraktojë shërbime dhe ato shërbime t’i kontraktojë nga institucionet e licencuara në Republikën e Kosovës”, u shpreh Haxhiu.
Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, i pyetur pak para seancës të së enjtes ka thënë se implementimi i Sigurimeve Shëndetësore është i pamundur.
“Tri premtimet kryesore që kanë qenë për formën në shëndetësi janë dështim nga Lëvizja Vetëvendosje, strategjia për shëndetësinë, ligji i ri për sigurimet shëndetësore dhe ligjin e ri për shëndetësi. Të tria nuk janë realizuar në këto katër vite, jo vetëm të cilat keqdraftuar por edhe implementimi i tyre nuk ka ndodhur dhe nuk janë votuar as në seancën kuvendare. Kjo është tregues që shëndetësia nuk ka qenë prioritet, e kemi parë edhe në menaxhimin e saj ndërrimi i shpeshtë i ministrave edhe drejtorëve spitalor. Ligji për siguri shëndetësore as nuk ka ndodhur dhe me LVV-në as nuk do të ndodh”, deklaroi Zemaj.
Deputeti i LDK-së ka thënë se krahas ligjit për sigurime shëndetësore, qytetarët janë mashtruar edhe për shërbime tjera shëndetësore. Sipas tij, Qeveria Kurti nuk ka realizuar asnjë premtim dhe është përcjellë me afera e skandale të shumta.
“Si të gjitha temat tjera edhe sektori i shëndetësisë edhe për ligjin e ri për sigurimet shëndetësore, qytetarët janë mashtruar por më së shumti është dëmtar pacienti dhe ata të cilët kanë pritur shërbime më të mira dhe më cilësore në shëndetësi. Fatkeqësisht nuk kanë realizuar asnjë premtim, dhe ato që kanë filluar janë pjesërisht disa renovime me plotë afera e skandale të shumta. Pjesa e legjislacionit është dështim total, LDK-ja ka prezantuar programin në shëndetësi përpos pjesës së investimeve është reforma e plotë legjislative ajo që ndërlidhet me ligjin e ri të shëndetësisë, me sigurimet shëndetësore por edhe me strategjinë e shëndetësisë e cila qartëson objektivat e qarta për avancimin e shëndetësisë kosovare”, ka theksuar Zemaj për redaksin e “Albania News Network”.