Nën organizimin e Mekanizmit Koordnues Komunal Kundër Dhunës në Familje , në Gjakovë është hapur zyrtarisht Fushata “16 ditë aktivizëm kundër dhunës në bazë gjinore” .
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të lartë nga institucioni i Komunës së Gjakovës, Stacionit Policor në Gjakovë, Avokati i Popullit, Kfori Turk e Italian, Organizata Jo-Qeveritare dhe nxënës të shkollave të komunës sonë.
Pjesë e panelit të diskutimit ishin Lumnije Shllaku udhëheqëse e sektorit për të drejtat e njeriut, Adelina Shehu-Kola drejtoreshë e DSHMS-së, Mark Kaqinari nga Avokati i Popullit në Gjakovë, Kapitene Mërgime Dobra dhe Emrah Cërmjani përfaqësues i OJQ-ve. Në fjalimet e tyre para të pranishmëve, ata vunë theksin mbi rëndësinë e bashkëpunimit në mes të institucioneve përgjegjëse dhe qytetarëve, për të luftuar dukurinë e dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Në hapje të kësaj fushate, u prezentua edhe ekspozitë me vizatime të punuara nga nxënës të shkollave të komunës si dhe Strehimorja “Shtëpia e Sigurtë”.