/ Feb 23, 2025

SHBA-ja dhe BE-ja vlerësojnë punën e SPAK-ut në 5-vjetorin e themelit të tij

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë mbështetur dhe përshëndetur punën e Prokurorisë së Posaçme në Shqipëri (SPAK) në 5-vjetorin e themelimit të saj, por theksuan se pavarësia e saj mbetet gjëja më e rëndësishme.

Zëvendësi i ndihmëssekretarit amerikan të SHBA për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, tha se gjatë një vizitës së tij të parë në Shqipëri, bëri thirrje që prokurorëve të SPAK-u t’u mundësohet aplikimi për vazhdimin e mandatit.

“Pavarësia e SPAK mbetet vendimtare. Për t’u siguruar që SPAK të vijojë në të ardhmen luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ne besojmë se prokurorët e SPAK duhet të lejohen të aplikojnë sërish pas përfundimit të mandatit të tyre aktual”, tha Kasanof.

Prokurorët e SPAK-ut kanë të drejtë për vetëm një mandat nëntëvjeçar, sipas Kushtetutës së Shqipërisë.

Kasanof tha se dështimi për t’ua mundësuar atyre vazhdimin e mandatit “rrezikon të ndërpresë përpjekjen më të suksesshme kundër krimit të organizuar e korrupsionit në historinë shqiptare”.

Pak muaj më parë të njëjtën kërkesë e kishte bërë edhe kreu i SPAK, Altin Dumani, duke i kërkuar Kuvendit të bëjë ndryshime kushtetuese për t’i lejuar prokurorët të kandidojnë për vazhdimin e mandatit.

Ndërkohë, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, garantoi vijimin e mbështetjes për SPAK-un dhe kujtoi se rrugëtimi evropian i Shqipërisë bazohet në rezultatet e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai kërkoi që SPAK të mos lihet i vetëm në këtë luftë.

“SPAK nuk është dhe s’duhet të jetë institucioni i vetëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimi të organizuar. Është përgjegjësi e të gjitha institucioneve, duhet të jetë përpjekje e bashkërenduar”, tha Gonzato.

Në ceremoninë për 5-vjetorin e institucionit që drejton, Dumani tha se gjatë kësaj kohe Prokuroria e Posaçme ka provuar se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.

Gjatë kësaj kohe para gjyqit kanë dalë disa ish-zyrtarë, ish-ministra e deputetë dhe ata tashmë po vuajnë dënimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmet më të Ndjekura

Kategoritë

Albania News Network

Albania News Network ju sjell lajmet më të rëndësishme dhe të besueshme nga Shqipëria, Kosova dhe bota. Informohu shpejt dhe saktë, çdo ditë!

© 2024 – Albania News Network