Prefab Kosova feston njëvjetorin e themelimit!
Kllasteri Prefab shënoi me një ceremoni të veçantë njëvjetorin e themelimit, ku morën pjesë përfaqësues nga sektori publik, sektori privat, akademia dhe entuziastë të industrisë së ndërtimeve të parafabrikuara. Ky event reflektoi bashkëpunimin dhe përpjekjet e përbashkëta që kanë fuqizuar vizionin dhe zhvillimin e kllasterit gjatë vitit të parë.
Në fjalën e tij hyrëse, kryetari i Bordit, z. Nazmi Mehmetaj, shprehu mirënjohje të thellë për anëtarët, partnerët dhe mbështetësit: “Faleminderit që besuat në vizionin tonë dhe kontribuat në realizimin e tij. Përkushtimi juaj na frymëzon të ëndërrojmë dhe të arrijmë më shumë në vitet në vijim.”
Zv.Ministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, z. Resul Makreshi, riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të ministrisë për kllasterin dhe industrinë, duke vlerësuar rolin e Prefab Kosova si promotor i zhvillimit ekonomik dhe inovacionit.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, z. Alban Zogaj, përgëzoi kllasterin për sukseset e arritura dhe afirmoi angazhimin e komunës për të mbështetur iniciativat që fuqizojnë sektorin privat dhe promovojnë zhvillimin lokal.
Drejtori i projektit USAID Compete, z.Skender Rama, theksoi mbështetjen e projektit që nga fillimet e kllasterit, duke evidentuar rezultatet konkrete të këtij bashkëpunimi dhe ndikimin pozitiv në industrinë e ndërtimeve të parafabrikuara.
Drejtorja Ekzekutive e Kllasterit, znj. Sytrime Dervisholli, prezantoi rrugëtimin e Prefab Kosova, sfidat dhe sukseset gjatë këtij viti, duke theksuar se “Me një strategji të qartë për vitet në vijim, ne jemi gati të vazhdojmë të ndërtojmë të ardhmen e industrisë së ndërtimeve të parafabrikuara në Kosovë.”
Ceremonia u përmbyll me ndarjen e dy mirënjohjeve për Ministren e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe për Drejtorin e projektit USAID Compete, për kontributin dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm ndaj kllasterit.
Falemnderit të gjithë pjesëmarrësve dhe mbështetësve që e bënë këtë event të paharrueshëm!
Së bashku, drejt sukseseve të reja!